1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Shkenca & Edukimi

Histori e trazuar - Radio dhe IFA nga 1924 deri sot

Ekspozita ndërkombëtare e teknikës së radiodifuzionit feston në Berlin 50 vjetorin me shumë inovacione. Kryeqyteti gjerman ka qenë në vitin 1924 vendlindja e ekspozitës.

Ekspozita ndërkombëtare e teknikës së radiodifuzionit  IFA në Berlin.

Ekspozita ndërkombëtare e teknikës së radiodifuzionit IFA në Berlin.

"Të nderuar të pranishëm dhe jo të pranishëm!" - Laureati i çmimit Nobel për fizikën Albert Einstein i pati zgjedhur me qëllim këto fjalë përshëndetjeje në vitin 1930 me rastin e hapjes së ekspozitës së radiodifuzionit, sepse fjala e tij u transmetua live në radio. Atëherë radioja kishte një vit, që ekzistonte, dhe në orën e lindjes së panairit me 4 dhjetor 1924 nuk e merrte njeri me mend. Brenda dhjetë ditëve më shumë se 100.000 vizitorë erdhën në "shtëpinë e industrisë së radiodifuzionit", ndërtuar në Kaiserdamm në Berlin enkas për këtë rast. Kjo degë në zhvillim prezantonte radion e parë me dedektor dhe llampa dhe bënte në të njëjtën kohë reklamën më të mirë për këtë medie të re.

Shtëpia e industrisë së radiodifuzionit, dhjetor 1924.

Shtëpia e industrisë së radiodifuzionit, dhjetor 1924.

Gjashtë vjet më vonë zhvillimi i teknikës në radio ishte i dukshëm. Në ekspozitën e 7-të të madhe gjermane të radiodifuzionit të ashtuquajturat radio superhet dhe me valë të shkurtra ishin risitë e panairit. Edhe televizioni bënte ndërkohë hapat e parë. Albert Einstein vlerësoi në fjalimin e tij rezultatet e shpikësve dhe inxhinierëve.

Fizikanti me famë botërore Albert Einstein në ekspozitën e 7-të të madhe gjermane të radiodifuzionit, 1930.

Fizikanti me famë botërore Albert Einstein në ekspozitën e 7-të të madhe gjermane të radiodifuzionit, 1930.

"Burimi i të gjitha arritjeve teknike është kureshtja hyjnore dhe instinkti studiuesit që vret mendjen dhe eksperimenton dhe jo më pak fantazia konstruktive e shpikësit të teknikës. Për sa i përket radios, ai ka një funksion të veçantë për të plotësuar në kuptimin e pajtimit të popujve.“

Por pak vite më vonë ky vizion i shkencëtarit gjenial u kthye në iluzion. Zhvillimi i teknikës në Gjermani ra në duar të nacionalsocializmit. Ministri i propagandës së Rajhut Josef Goebbels përgjegjës edhe për ekspozitën e radiodifuzionit fliste fjalë të qarta.

"Ne nuk e fshehim aspak. Radioja na takon neve! Unë e konsideroj radion si mjetin më modern dhe më të rëndësishëm, që ekziston, për influencimin e masave.“

Ideologjia naziste e çoi radion tek masat, prandaj në gjuhën e popullit quhej edhe „Fecka e Gëbelsit“. Aparatet ishin të lira, kështu që secili mund të dëgjonte radio. Kur Goebbels në gusht 1939 vizitoi ekspozitën e 16. të madhe gjermane, propaganda e radios naziste përgatiste gjermanët për luftë, të cilën e nisën gjashtë ditë më vonë dhe që përfundoi pas gjashtë vjetësh në katastrofë.

Çudi të reja të elektronikës argëtuese mund të kundronin gjermanoperëndimorët përsëri pesë vjet pas luftës në Gjermaninë tashmë të ndarë. Panairi i parë i pasluftës u hap në vitin 1950 në Düsseldorf. Pastaj ekspozita shëtiste një herë në dy vjet ndërmjet Frankfurtit mbi Main, Stuttgartit, Düsseldorfit dhe Berlinit. Edhe teknikisht kishin ndodhur zhvillime. Valët ultra të shkurtra (UKW) në vitin 1950. Me transmetimin e programeve të rregullta nga viti 1952 në të dy shtetet gjermane, edhe televizioni nisi të bëhej prezent në dhomat e ndenjes të gjermanëve. 1955 radiot deri atëherë të përmasave gjigande u zvogëluan, falë teknikës së tranzistorëve, dhe mund të mbaheshin në dorë si valixhe.

1967 panairi i radiodifuzinit u kthye përfundimisht në Berlin dhe me një shtypje butoni nisi historia e IFA-s. Aktori më i shquar i panairit ishte Ministri i Jashtëm i atëhershmën dhe zv/kancelar Willy Brandt. Me një të shtypur butoni...

"… jap sinjalin e nisjes për televizionin me ngjyra.“

Pamjet deri tani të hirta dhe të trishtuara u bënë papritur me ngjyra, por disa sekonda përpara se Brandt të shtypte butonin e kuq, pasi një teknik e kishte lëshuar impulsin para kohe. Avaria e vogël nuk ishte për t'u problematizuar, sepse Gjermania ishte i pari vend evropian, që kishte televizionë me ngjyra të standartit PAL. Por ama me çmimin krenar prej rreth 2.400 D-Mark, që vetëm të kamurit mund ta blinin fillimisht.

1971 ky trejler promovues tingëllonte i konsumuar. Panairi përjetoi një tjetër pikë kthese: ai u bë ndërkombëtar dhe vepronte tani me shkurtimin "IFA". Katalogu i risive bëhej gjithnjë e më i trashë: Në vitet 70-të edhe videoregjistruesit, telekomanda dhe videoteksti hynë në të përditshmen e televizionit.

Televizor në 3D - IFA 2010.

Televizor në 3D - IFA 2010.

Në vitet 80-të dëgjimi dhe incizimi i muzikës u bë gjithnjë e më i thjeshtë. CD zëvendësoi diskun. Kaseta me muzikë ishte e domosdoshme për kasetofonin dhe walkman-in. Televizioni me Satellit shtoi larminë e programeve, televizionit publik iu bë konkurrent televizioni privat. Krahas elektronikës argëtuese po hynte gjithnjë e më shumë elektonika komunikative, po ashtu në vitet 90-të sektori i kompjuterit zbuloi IFA-n si vend lukrativ për të ekspozuar produktet.

Digjitalizimi po përfshinte gjithnjë e më shumë fusha: televizioni digjital (DVB), radioja digjitale (DAB), MP3-Player dhe celularët me lidhje me internetin janë disa nga shembujt. Me fillimin e shekullit të ri sallat e panairit në Berlin dominohen gjithnjë e më shumë nga ekranët e sheshtë të televizonit. Televizioni me llampa del nga përdorimi si edhe videoregjistruesi.

Që prej ribashkimit gjerman IFA pësoi një bum nga viti 1990. Në vitin 2005 si reagim ndaj daljes shumë të ngjeshur në treg të produkteve të reja organizatorët vendosën ta zhvillonin IFA-n çdo vit.

2008 vitrina e elektronikës argëtuese u pasurua me pajisje elektrike shtëpiake. Panairi dhe industria kryen kështu një unifikim, që ishte bërë realitet prej kohësh. Inovacione për gatim, pastrim dhe të tjera tërhoqën vizitorë të rinj, që deri tani nuk kishin qenë klientë të përhershëm të IFA-s.

Autor: Manfred Böhm / Angelina Verbica

Redaktoi: Eliana Xhani

Audio dhe video për temën

Më shumë nga rubrika